Teuta arriti një fitore shumë të rëndësishme, duke triumfuar përballë Laçit me rezultatin 0-3. Ndeshja zhvillohej në Elbasan Arena, si pasojë e punimeve që po bëhen në stadiumin e kurbinasve. Latif me anë të një dygolëshi dhe Progni ishin autorët e golave të Teutës, ndërsa Laçi provoi disfatën e parë në këtë sezon.

Bardhezinjtë nuk humbisnin në kampionat që nga prilli i sezonit të kaluar, me Teutën që fitoi me një rezultat të pastër. Ndeshja nisi keq që në fillim për ekipin e Mërgjyshit. Redon Xhixha kreu një ndërhyrje të ashpër ndaj Kallakut dhe Enea Jorgji e ndëshkoi me të kuqe. Ishte minuta e tretë e ndeshjes, por arbitri ishte i prerë në vendimin e tij.Malore për Laçin, që pëson golin shumë shpejt. Latif shfrytëzoi një krosim të Ndrecës dhe mposhti Selmanin.

“Vendasit” tentuan të reagonin, por Gerhard Progni shënoi golin e dytë në minutën e 25-të, duke vulosur ndeshjen. Djemtë e Shkëmbit u treguan të duruar, ndikuar dhe nga fakti që ishin me një lojtar më shumë pothuajse përgjatë gjithë ndeshjes. Ndëshkimi i Xhixhës dhe pësimi i dy golave të shpejtë tronditi laçianët, pavarësisht se ekipi nuk u dorëzua.

Bojan Najdenov kishte mundësi të rihapte takimin, por goditja e dënimit e maqedonasit përfundoi në shtyllë. Pjesa e parë nuk dhuroi më gola, ndërsa e dyta nisi me dëshirën e Laçit për të tentuar rihapjen e ndeshjes. Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe Teuta goditi sërish.

Latif shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për bregdetarët, duke vulosur përfundimisht ndeshjen. Ganezi ngjitet në kuotën e shtatë golave pas fazës së parë dhe kryeson renditjen e golashënuesve. Fitorja e dytë rresht për Teutën, që tashmë ngjitet në kuotën e 14 pikëve, ndërsa bardhezinjtë zbresin në vendin e katërt me 16 pikë.