U rikthye te fitorja Teuta, që pas barazimit pa gola në Shkodër ndaj Vllaznisë, ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 4-0 ndaj Bylisit në “Niko Dovana” dhe përfitoi maksimalisht nga ndalesa e Partizanit, për të marrë kryesimin.

Durrsakët e nisën vrullshëm ndeshjen, duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e ’15 me anë të mesfushorit gjirokastrit Emiliano Aleksi, ndërsa ballshiotët kërcënuan me Ndrecën dhe Anthony Beji, por pa arritur të rikthejnë baraspeshën.

Në pjesën e dytë ishte mbrojtësi Marcelino Preka që devijoi në mënyrë të pafat një top në rrjetën e portës së tij, duke u dhënë avantazhin e dyfishtë durrsakëve, ndërsa më pas ishin Lorenco Vila dhe Dejvi Bregu që vulosën suksesin.

Vlen të theksohet se sulmuesi vlonjat Bregu humbi edhe një penallti, kur rezultat ishte 2-0, pasi goditja e tij nga 11-metrat u prit mjaft mirë nga portieri Pano Qirko, megjithatë kjo nuk ndikoi aspak në rezultatin e sfidës.