Teuta ka shpërthyer në Gjirokastër ndaj Luftëtarit të rënë nga kategoria, duke shënuar pesë gola. Në fushë nuk ka qenë asgjë e thjeshtë për durrsakët, pasi në pjesën e parë shpërdoruan dhe gjithçka u mbyll pa gola.

Megjithatë, në 45 minutat e dyta durrsakët e morën seriozisht dhe arritën të kalonin në avantazh me Hebajn. Por, pak minuta më pas u befasuan pas një goli të bukur të Rimal Haxhiut, që barazoi përkohësisht rezultatin.

Por, më pas erdhi momenti i Sherif Kallakut, që fillimisht finalizoi një aksion fantastik, e më pas ktheu në gol një penallti. Për golin e katërt mendoi Florent Avdyli nga goditja e dënimit. Ndërsa ai që vulosi gjithçka ishte Kallaku afër fundit, me golin e tij të tretë personal dhe të pestin për Teutën.

Luftëtari vazhdon të bëhet tabelë qitjeje në kampionat, duke pësuar vetëm në tri javët e fundit 18 gola. Teuta vazhdon tashmë e qetë rrugën për të kapur Europën përmes kampionatit.