Mund të humbasësh, por fiton përgëzimet e presidentit, si në rastin e ekipit të Flamurtarit, që u duartrokit në fund të ndeshjes nga Sinan Idrizi. Tifozë me pikatore, por të zhurmshëm, si edhe prishja e traditës së pankinave.

Këto dhe jo vetëm ishin disa nga pikantet në sfidën e mbrëmshme në stadiumin “Elbasan Arena”.Ky takim nuk u luajt në stadiumin e Durrësit, pasi në tapetin e këtij të fundit ka pasur ndërhyrje dhe nuk është gati.

* Përpara se të niste takimi, u mbajt një minutë heshtje në nderim të legjendës shqiptare të futbollit, Miço Papadhopulli, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.

* Në tribunën VIP kanë qenë të pranishëm të dy presidentët e klubeve, Edmond Hasanbelliu i Teutës dhe Sinan Idrizi i Flamurtarit. Gjatë gjithë ndeshjes qëndruan së bashku, të shoqëruar edhe nga miqtë e tyre.

* Në një moment gjatë minutave të para, Kallaku rrëzohet në zonë, me gjyqtarin Alla që vazhdon lojën. Ky moment sjell irritimin e atyre pak tifozëve, duke lëshuar një lumë të sharash ndaj lushnjarit. Gjithsesi, bëhej fjalë për dy-tre individë që gjatë gjithë ndeshjes duket se kishin ardhur në stadium për të bërë zhurmuesin dhe jo të mbështesnin skuadrën e tyre.

* Është prishur një rregull me vendosjen e skuadrave nëpër pankina. Ndryshe nga sa ndodh zakonisht dhe siç realisht duhet, në pankinën e krahut të djathtë, ose e thënë ndryshe, në atë pranë anësorit të parë, duhet të qëndrojë ekipi mik. Në rastin e djeshëm, duhet të qëndronte Flamurtari. Mirëpo, nuk ndodhi kështu dhe aty qëndroi skuadra e Teutës, e cila ishte edhe pritëse.

* Për afro 5 minuta ekipi i Flamurtarit luajti me një lojtar më pak, për shkak të dëmtimit të mbrojtësit grek, Jorgos Sarris. Edhe pse doli nga loja i dëmtuar, në kampin vlonjat ishin të papërgatitur, ndoshta ngaqë prisnin rikthimin e tij në fushë. Më në fund u krye edhe zëvendësimi dhe në lojë u fut Elian Çelaj.

* Si Shkëmbi dhe Sadedini qëndruan gjatë gjithë kohës në këmbë, duke dhënë udhëzimet e tyre. Trajneri i Teutës kërkonte vazhdimisht më shumë shpejtësi në pasime te djemtë e tij, ndërsa ai i Flamurtarit donte më shumë grintë dhe lëvizshmëri nga të tijtë.

* Edhe pse skuadra e tij humbi, Sinan Idrizi u largua i fundit nga tribuna VIP, teksa qëndroi aty për të duartrokitur kuqezinjtë. Me sa duket, drejtuesi i Flamurtarit ka mbetur i kënaqur nga loja që kanë zhvilluar, përtej faktit se dolën me zero pikë nga përballja dhe vijojnë të mbeten të fundit në klasifikimin e Superiores.

* Në ndeshjen e djeshme në rolin e vëzhguesit të arbitrave ishte Ervis Peza, një emër i njohur i gjykimit në Kategorinë Superiore deri pak vite më parë. Në mënyrë misterioze Peza nuk gjykoi më, edhe pse nuk ishte në moshë madhore. Megjithatë, tashmë është kthyer në vëzhgues, ashtu siç ndodh edhe me arbitrat e tjerë pasi tërhiqen.