Pas suksesit në Korçë kundër Skënderbeut, “de facto” Teuta ka siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore, edhe pse “de jure” i duhet edhe një pikë. Në ndeshjen e parafundit të kampionatit, “djemtë e detit” presin në “Niko Dovana” Lushnjën, një kundërshtar i lehtë në letër, që luan vetëm për prestigj, pasi prej javësh ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë dhe pret edhe emrin e shoqërueses.

Bregdetarët vijnë pas një momenti të shkëlqyer, duke mposhtur tre kundërshtarë dinjitozë si Partizanin, Kukësin dhe Skënderbeun. Forca e tyre dihet, por Teuta tregoi se kur luan si grup nuk ka kundërshtar që e mposht. Në shtëpi durrsakët nuk mendojnë asnjë rezultat tjetër përveç fitores, por e dinë se përballë Lushnjës nuk do të jetë e lehtë.

Mjafton të kujtojmë dy precedentët në fazën e parë dhe të dytë. Verdhëjeshilët i kanë marrë katër pikë Teutës në këtë edicion, pikë të cilat nëse do t’i kishte tani do të ishte në “valle” për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë.

Edhe pse tani ekipi lufton për mbijetesë, mund të synonte Evropën, i cili ishte objektivi minimal në fillim të këtij sezoni. Aktualisht, Teuta ka grumbulluar 43 pikë pas 34 ndeshjesh dhe pozicionohet në vend të tetë, me 7 pikë më pak se Partizani dhe Laçi në vend të katërt dhe të pestë (vendi i katërt të dërgon në Europë nëse fiton Skënderbeu Kupën e Shqipërisë).

Në fakt, bregdetarët edhe pse nuk kanë marrë vëmendjen e duhur janë ekipi i tretë, që shënon më shumë, pra një tjetër statistikë që tregon forcën e tyre, por që për gabime apo “neglizhencë” tani ndodhen në këtë situatë. Duke pasur në mendje dy përballjet e para, trajneri Gentian Begeja e vlerëson maksimalisht kundërshtarin dhe do të kërkojë nga të tijtë impenjim maksimal për të vazhduar me serinë e fitoreve.