Ekipi i Teutës ka vijuar të stërvitet me intensitet gjatë këtyre ditëve, teksa ka shfrytëzuar në mënyrën e duhur ndërprerjen e kampionatit. Prej ditësh, durrsakët kanë filluar të mendojnë për sfidën e fundjavës me Vllazninë. Një ndeshje e rëndësishme, por “djemtë e detit” do të synojnë patjetër të dalin me pikë të plota nga ky takim.

Trajneri Shkëmbi duket se i ka të qarta idetë në mendjen e tij për formacionin që do të hedhë në fushë. E rëndësishme është që tashmë kontingjenti në dispozicion të stafit teknik është më i madh dhe po ashtu edhe mundësitë për të ndërtuar 11- shen.

Në nisje te stërvitjes, sulmuesi 23-vjeçar nga Gana, Khalid, u ka zgjatur dorën një e nga një futbollistëve dhe bashkëpunëtorëve të tij te skuadra e Teutës, ndërsa të gjithë lojtarët i kanë uruar mirëseardhjen në skuadër. Më pas, futbollistët janë vënë nën urdhrat e trajnerit Shkëmbi, duke zhvilluar stërvitjen për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë.

Trajneri Blendi Shkëmbi edhe me shkodranët nuk do ta ketë skuadrën e plotë, pasi, nga sa bëhet e ditur, nuk do të jenë për lojë Sherif Kallaku dhe Beqja, të cilët janë në rikuperim e sipër, ashtu si dhe Çyrbja, që duket se e ka kaluar më të vështirën dhe pritet të jetë gati për trajnerin Shkëmbi.

Në Durrës, organika është e pasur dhe Shkëmbi nuk do ta ketë problem që të ndërtojë një 11-she fituese në sfidën e radhës me shkodranët. Lojtarët kanë zbritur në fushë për të vijuar përgatitjet anti-Vllaznia, sipas programit të trajnerit Bledi Shkëmbi.

“Djemtë e detit” e kanë zhvilluar seancën e djeshme në “Olympic Park” dhe duhet thënë se ritmi ka qenë i lartë. Deri në ndeshjen me Vllazninë do të vazhdohet me një seancë në ditë.

Brenda kësaj kohe pritet që futbollistët të jenë në gjendje optimale për të vijuar me rezultate pozitive. Pas ushtrimeve aerobike, lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike.

Në fundin e seancës ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre, ku nuk munguan golat. Në Durrës do të synohen 3 pikët, pasi këtë sezon kanë pretendime madhore për kreun e Superiores, ndërsa përforcimi në sulm i ganezit Khalid sigurisht që u jep siguri dhe konkurrencë durrsakëve në ofensivë.

“Djemtë e detit” do të synojnë fitoren, për më tepër që luajnë në sytë e sportdashësve të tyre dhe këtë herë pritet që t’i mbështesin edhe më shumë tifozë.