Teuta ka nisur përgatitjet, ndërsa durrsakët ashtu si ekipet e tjera të elitës janë në pritje të një vendimi që do të ketë nëse fillon kampionati apo jo së afërmi, ndryshe do t’u duhet që të planifikojnë miqësore.

Por trajneri Edi Martini nuk e ka grupin e plotë, pasi sulmuesi Blerim Krasniqi është ende në fazë riaftësimi pasi mori një dëmtim në shpatull ndaj Egnatias, në miqësoren e luajtur afro dy javë më parë.

Megjithatë Krasniqi ka shmangur operacionin dhe do të jetë gati që javën e ardhshme të nisë vrapimin në fushë. Sulmuesi i afruar gjatë merkatos së verës te durrsakët duket se e ka kaluar dëmtimin në shpatull, teksa do të jetë gati që të bashkohet me grupin, sigurisht në seanca të lehta stërvitore.

Ish-sulmuesi i Skënderbeut pësoi një dëmtim në miqësoren që Teuta zhvilloi me Egnatian, aqsa te bregdetarët u shkaktua panik për gjendjen e kavajasit.

Djaloshi ia ka dalë të lërë pas dëmtimin në pjesën e sipërme të shpatullës, duke rikthyer buzëqeshjen e Edi Martinit, që shumë shpejt do të ketë gati sulmuesin.

Ndërkohë që edhe Fabjan Beqja vazhdon që të ketë probleme shëndetësore. Pa dy lojtarë titullarë, trajneri Edi Martini po vijon sipas programit me pjesën tjetër të skuadrës…