Humbja me Luftëtarin, në finalen e parë për mbijetesën, nuk ka kaluar pa pasoja tek Teuta. Përveç largimit nga detyra e trajnerit Stavri Nica, klubi prishi kontratën edhe me sulmuesin Reza Karimi.

19-vjeçari i huazuar nga Skënderbeu u zëvendësua pas vetëm 37 minutash lojë gjatë fundjavës. Ai paguan faturën e humbjes, me drejtuesit e ekipit që e kanë cilësuar të pamjaftueshëm impenjimin e futbollistit nga Irani në kauzën e bregdetarëve, që është mbijetesa mes më të mirëve në këtë kampionat.

Reza Karimi bëhet lojtari i tretë që largohet nga Teuta pas ecurisë larg pritshmëtive gjatë këtij edicioni, pasi në gjysmën e parë të kampionatit nga ekipi fillimisht u përjashtua mesfushori Albi Dosti, ndërsa më pas u prish me mirëkuptim kontrata me kapitenin Nijas Lena.

Ndërkohë, trajneri Gentian Begeja zhvilloi stërvitjen e parë në drejtim të skuadrës, pas emërimit si zëvendësues i Nicës. Për shkak të reshjeve dhe motit të ftohtë, seanca u zhvillua në palestrën e stadiumit. Drejtuesi i ri i stolit do të debutojë këtë të mërkurë përballë Skënderbeut, në sfidën e kthimit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Një ndeshje që pritet të jetë thjesht formale, sepse përveç avantazhit me dy gola të korçarëve, Teuta është e përqendruar te kampionati.

Impenjimi i radhës në kampionat për “Djemtë e Detit” është në trasfertën me Vllazninë, një tjetër finale mbijetese dhe për këtë arsye përballë Skënderbeut, Teuta pritet të hedhë në fushë lojtarët që kanë patur më pak minuta në dispozicion.