Iu bashkua Teutës në muajin janari, si një nga afrimet më të bujshme, por eksperienca e Armando Vajushit me bregdetarët zgjati vetëm pak muaj.Kjo pasi durrsakët njoftuan sot nëpërmjet një deklarate se kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me sulmuesin shkodran.

Nga Vajushi pritej shumë në Durrës, pro futbollisti pësoi një dëmtim që e mbajti për pak javë jashtë fushave, ndërsa më pas sulmuesi nuk arriti të gjejë ritmin e duhur, për të bërë diferencën.

27-vjeçari, i cili ishte pa klub në Itali, erdhi tek Teuta në janar, por në 423 minuta që luajti gjithsej, teksa ishte i kushtëzuar edhe nga një dëmtim në gju, nuk bindi drejtuesit e “Djemve të detit”.

Kështu, Teuta nuk vendosi të rinovonte, teksa marrëveshja në janar ishte vetëm për 6 muaj, dhe tashmë duke qenë se mesfushori i krahut të majtë, doli jashtë planeve të klubit, palët kanë vendosur të ndërpresin marrëdhëniet, dhe Vajushi nuk do të jetë më pjesë e Teutës.

Vetë presidenti Edmond Hasanbelliu, në një intervistë pak ditë më parë, e pati pranuar se një nga lojtarët që nuk ishte shfaqur në nivelin që pritej këtë sezon, ishte pikërisht Vajushi.