Teuta lë Korçën. Pas 14 ditësh mes përgatitjeve intensive, skuadra e ka mbyllur zyrtarisht fazën. Rikthimi në Durrës i gjen me një tjetër “fytyrë”, ndërsa me afrimet e bëra ekipi mund të konsiderohet zyrtarisht i kompletuar dhe merkatoja logjikisht e mbyllur.

Teuta ka punuar sipas programit të hartuar nga stafi teknik gjatë dyjavorëshit në qytetin juglindor. Kjo fazë përgatitore konsiderohet shumë e rëndësishme për arritjen e nivelit që skuadrës i duhet për të konkurruar denjësisht gjatë sezonit të ri.

Ritmi ka qenë i lartë, ndërkohë Bledi Shkëmbi shfrytëzoi edhe ditën e fundit për të zhvilluar një seancë paradite, ku janë kombinuar ushtrimet e forcës me pjesën tekniko-taktike.

Ajo filloi me nxehmje të lehtë dhe më pas përgatitësit atletikë Iris Selimi dhe Françesko Vitobelo vazhduan punën me ushtrime fizike. Më pas u kalua te loja me top dhe konkretizimi para portës.Futbollistëve të të gjitha reparteve u është kërkuar t’i mëshohet shumë qarkullimit të topit, vertikalizimeve dhe inkursionit.

Trajneri kërkon me ngulm që të tijtë t’i rikthehen lojës së bukur të kampionatit të shkuar dhe të bindin me rezultate. Për këtë, duket se durrsakët i kanë të gjithë përbërësit e duhur. Stafi teknik po e përgatit me kujdes nisjen e garës dhe qëllimi i vetëm është arritja e objektivave.Në seancën e djeshme stërvitore nuk ka pasur asnjë mungesë dhe gjendja e futbollistëve ka rezultuar optimale.

U zhvillua edhe një minindeshje, që ka zgjatur rreth 20 minuta dhe kjo i ka shërbyer për të vlerësuar situata të ndryshme taktike të lojës.Ditët e fundit, para startit të sezonit, do t’i vlejnë trajnerit për të njohur edhe më shumë skuadrën, por edhe për të testuar emra të rinj, që i janë bashkangjitur së fundmi Teutës.

Gjendja shëndetësore e futbollistëve është stabël, falë punës së koordinuar profesionale mes stafit teknik, doktorëve e fizioterapistëve të klubit bregdetar.Atmosfera e mirë brenda kampit është një tregues i mirë për atë se si një klub funksionon si familje. Harmonia dhe bashkëpunimi mes grupit të futbollistëve është në nivelin e duhur dhe ata janë përshtatur mjaft mirë me njëri-tjetrin.