Teuta provoi edhe një herë entuziazmin e një takimi të fituar, një ndjenjë e cila i mungonte nga data 18 tetor dhe e bëri në një çast shumë të veçantë, në një nga momentet më të vështirë që po kalon ky qytet antik pas lëkundjeve të rënda të tërmetit të 26 nëntorit.

Katër barazimet radhazi duke shënuar vetëm një gol, por edhe pësuar vetëm 1 kishin prekur themelet e objektivave të skuadrës dhe fitorja ishte e detyrueshme kundër Skënderbeut edhe më në fund erdhi edhe pse në mbyllje të ndeshjes.

Një nga elementët më pozitivë që duhet të zotërojë një skuadër e konsideruar e mirë është vazhdimësia dhe kjo është sfida më e madhe e Bledi Shkëmbit. Suksesi kundër bardhekuqve duhet të pasohet me një tjetër fitore përballë Kukësit, nuk është aspak një shëtitje në bregdet përkundrazi, sidomos po të llogarite një fakt i cili nuk ka sesi të anashkalohet, durrsakët do të zbresin në fushë me 3 mungesa të mëdha.

Kapiteni dhe lideri i padiskutueshëm i ekipit Renato Arapi e ka plotësuar numrin e kartonëve dhe është i pezulluar, gjithashtu i pezulluar është edhe një prej mesfushorëve kryesorë, Albano Alkesi.

Së bashku me Arapin e Aleksin do të qëndroj pas hekurave të fushës edhe Roni Gashi, pasi edhe 21-vjeçari njësoj si shokët e skuadrës ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë dhe është i pezulluar.

Do të ketë shumë punë për Shkëmbin për të gjetur alternativat e duhura në mënyrë që Teuta të mos shkelë edhe një herë pedalin e frenave, por aq sa është mundësia të vijojë ngjitjen drejt kuotave të larta.