Teuta ka nisur një projekt të ri. Drejtuesit vendosën t’i besonin një trajneri me shumë përvojë si lojtar por me vetëm një sezon në stol si Bledi Shkëmbi i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë për të ndërtuar një skuadër konkuruese por jo vetëm.

Qëllimi nuk është thjesht pjesëmarrja në Kupat e Europës, por edhe evidentimi i futbollistëve cilësorë që mund të sjellin të ardhura të rëndësishme në arkën e klubit. U vendos që të firmosej divorci me të shkuarën dhe e shkuara ishin Hila, Dedic, Bilali, Alhasan, ndërkohë që janë afruar 4 futbollistë për të cilët pritshmëria e drejtuesve është e madhe.

Ndreca, Avdyli, Gashi e Sherif Kallaku janë të gjithë lojtarë me moshë të re të cilëve do t’u ofrohet mundësia për të treguar vlerat që disponojnë.

Mësohet gjithashtu se Teuta është në kërkim të një qëndërsulmuesi i cili të kertë një marrëdhënie të ngushtë me golin, teksa po synohen edhe dy qëndërmbrojtës dhe një mesfushor, drejtuesit sëbashku me trajnerin po vijojnë punën për të plotësuar skuadrën në kuadër të fazës përgatitore, Djemtë e Detit do të nisin stërvitjet më datë 5 Korrik në Durrës, pas 10 ditësh do të spostohen me shumë gjasa në Itali për të vijuar përgatitjet, megjithëse ka edhe dy opsione të tjera që janë Bullgaria e Sllovenia.