Humbja me Flamurtarin në Vlorë nuk është pritur aspak mirë nga “Djemtë e detit”, që shpresonin të dilnin me një rezultat pozitiv pas hapit fals të Vllaznisë. Ndonëse Teuta e nisi në mënyrë të shkëlqyer ndeshjen duke kaluar në avantazh pas 8 minutash lojë, duke krijuar përshtypjen se do të vazhdonin me serinë e rezultateve pozitive, u shpërbë brenda 12 minutash.

Ndeshja me kuqezinjtë hapi shumë plagë të vjetra për të besuarit e Begejës. Në tri ndeshjet e fundit, Teuta nuk kishte pësuar asnjë gol, teksa humbja e fundit me këto shifra ishte para gjashtë javësh kundër Kukësit në “Zeqir Ymeri” (3-2). Durrsakët kishin tre mungesa tepër të rëndësishme kundër vlonjatëve si: Hrkaç, Gjeorgjievski dhe Hila, pra tre lojtarë që mbajnë peshën e mbrojtjes dhe mesfushës. Gjithsesi, ai shpërfytyrim në Vlorë ngre disa pikëpyetje për të ardhmen. “Sindroma” që ka ndëshkuar Teutën në këtë sezon, pra, mosadministrimi i avantazhit u rikthye ndaj Flamurtarit.

Një tjetër element që të befason kur shikon klasifikimin është edhe fakti që Teuta me golat dhe efikasitetin përpara portës duhet të ishte një ekip që të luftonte për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane (objektivi primar në fillim të sezonit).

“Djemtë e detit” kanë sulmin e katërt më të mirë në Kategorinë Superiore me 35 gola të shënuar, një më pak se Luftëtari aktualisht në vend të tretë (pa llogaritur rezultatin e Partizani-Skënderbeu), para tyre janë vetëm Skënderbeu që ka hipotekuar titullin kampion dhe Kukësi vendin e dytë. Pra, me këto statistika, bregdetarët duhet të synonin Europën, por fatkeqë- sisht luajnë për mbijetesë, madje rrezikojnë shumë qëndrimin në Superiore.

“Thembra e Akilit” për Teutën është mbrojtja dhe ky repart kishte fituar besim dhe siguri në ndeshjet e fundit, por mjaftuan disa mungesa për t’u shpërbërë sërish. Pas Lushnjës, që ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë, me 68 gola të pësuar, “djemtë e detit” janë ekipi i dytë që kanë pësuar më shumë në Superiore, plot 45 gola dhe surpriza më e madhe është fakti që lushnjarët u kanë shënuar gjashtë gola ndërsa u kanë marrë katër pikë. Katër pikë të arta që nëse do t’i kishin, tani do të ishin në “vallen” për kompeticionet europiane. Gjithsesi, tani bregdetarët kënaqen edhe me mbijetesën, të cilën mund ta arrijnë që këtë javë nëse mposhtin Kamzën në “Niko Dovana”.