Pas miqësores së zhvilluar të shtunën me Laçin, ku humbi 0-2, Teuta i është kthyer fushës. Stafi teknik kishte menduar t’i lejonte lojtarët të pushonin për shkak edhe të ngarkesës fizike, por tashmë përgatitjet për ndeshjen e parë të kampionatit kanë nisur.

Durrsakët kanë zbritur në fushë për të nisur javën anti-Bylis, sipas programit të trajnerit Bledi Shkëmbi. “Djemtë e detit” e kanë zhvilluar seancën në orën 18:00 dhe duhet thënë se ritmi ka qenë i lartë. Deri në ndeshjen me Bylisin do të vazhdohet me një seancë në ditë.

Brenda kësaj kohe pritet që futbollistët të jenë në gjendje optimale për një start të mbarë të Superligës.Para fillimit të seancës së parë të javës, trajneri Bledi Shkëmbi ka folur para grupit të futbollistëve, duke i uruar të gjithë për një kampionat sa më të mbarë. Lojtarët që nuk banojnë në Durrës, janë kthyer në rezidencën e tyre.

Për shkak të temperaturave të larta, stërvitja ka nisur pasdite vonë, në kompleksin “Olympic Park”. Pas ushtrimeve aerobike, lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike. Në fundin e seancës ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre, ku nuk munguan golat dhe veprimet spektakolare.

Harmonia në ekip shihet si një faktor kyç për një ecuri pozitive gjatë sezonit të ardhshëm. Te Teuta ka pasur shumë lëvizje, por lojtarët janë ambientuar mirë dhe kanë gjetur gjuhën e përbashkët me njëri-tjetrin në lojë.

Ambiciet e klubit durrsak janë për të luftuar në dy frontet, për titullin kampion dhe për Kupën e Shqipërisë. Të gjithë mendojnë se skuadra ka kualitetin e duhur për të bërë më mirë se sezonin e shkuar.

Teuta duhet minimalisht të zërë një vend për në Kupat e Europës, por kuptohet që do të synohet titulli me të gjitha mundësitë. Ndoshta deri në mbylljen e merkatos në skuadër do të ketë edhe ndonjë afrim të fundit.