Teuta ia doli në ditën e djeshme të fitonte një përballje aspak të lehtë ndaj Skënderbeut, jo vetëm ër forcën e kundërshtarit në fushë, por edhe për pasojat e frikshme të tërmetit në qytetin e Durrësit. Ndërkohë, tashmë Teuta dhe trajneri i saj Bledi Shkëmbi kanë nisur të mendojnë për ndeshjen e radhës në kampionat, e cila i vendos përballë Kukësit.

Në këtë takim, durrsakët do të kenë jo pak probleme teksa nuk do mund të aktivizojnë tre futbollistë. Bëhet fjalë për mbrojtësin Renato Arapi dhe mesfushorët Albano Aleksi e Ron Gashi. Të tre lojtarët u ndëshkuan me kartonë të verdhë dhe kanë plotësuar numrin e tyre, kështu e kanë të pamundur të jenë të gatshëm.

Ndërkohë, mbetet për t’u vlerësuar edhe gjendja e Arbër Çyrbjes i cili la fushën para kohë në sfidën e djeshme për shkak dëmtimi. Lajmi i mirë për ndeshjen ndaj Kukësit është rikthimi në dispozicion i mesfushorit Sherif Kallaku, që shleu në sfidën ndaj Skënderbeut pezullimin për shkak të kartonëve.