Skuadra e Teutës e ka nisur mirë kampionatin teksa edhe në këtë sezon ashtu si në të kaluarin pretendon të paktën kualifikimin në Europë, e më pas për më shumë ‘oreksi vjen duke ngrënë’. Të besuarit e Bledi Shkëmbit ia kanë dalë të grumbullojnë tetë pikë në këto katër javë të kampionatit, vetëm dy pikë më pak se kryesuesit e Tiranës.

Megjithatë, në këto dy ndeshjet e fundit, skuadrës i ka munguar një nga elementët më të rëndësishëm. Bëhet fjalë për mesfushorin Sherif Kallaku.

21-vjeçari pësoi një dëmtim në sfidën ndaj Tiranës në javën e dytë, por tashmë duket se futbollisti i shpresave ka hedhur pas shqetësimet dhe përgatitet të rikthehet normalisht në fushë për të dhënë kontributin e tij në skuadrën durrsake.

Kështu, në transfertën ndaj Skënderbeut ditën e shtunë, ‘Djemtë e Detit’ do të kenë një armë më shumë.