Teuta bën goditjen e radhës në merkato dhe sërish “peshkon” lojtarë që kanë një të kaluar me Vllazninë. Tashmë vjen edhe zyrtarizimi i kontratës, teksa nga dje sulmuesi 23-vjeçar Silvio Zogaj është pjesë e Teutës.Lojtari me origjinë nga Lezha që ka luajtur në Superiore me skuadra si Vllaznia, Laçi dhe Luftëtari, ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin durrsak.

Dje Zogaj ka qenë në stadiumin “Niko Dovana”, duke ndjekur ndeshjen miqësore mes Teutës dhe Kastriotit. Sot futbollisti do të zhvillojë për herë të parë stërvitje me skuadrën durrsake, duke forcuar në këtë mënyrë repartin ofensiv të Teutës për sezonin e ri.Vetëm në këtë merkato janë afruar tre lojtarë tërësisht me tipare sulmuese, duke filluar nga Blerim Krasniqi, Aldrit Oshafi dhe së fundmi Silvio Zogaj, i cili vjen pas dy sezoneve pozitive me shkodranët.

Duke shtuar këtu edhe Rubin Hebajn, tashmë pjesa sulmuese e ekipit durrsak bëhet “top”. Gjithsesi, drejtuesit janë të vendosur që të bëjnë edhe një goditje të fundit, teksa emri i Dejvi Bregut vazhdon të jetë në diskutim si përforcim i mundshëm.

Deri më tani klubi ka zyrtarizuar afrime si Aldrit Oshafi, Blerim Krasniqi, Iran Gonçalves, Asion Daja, Vasil Petani, Erando Karabeci, Denis Pjeshka, Silvio Zogaj. Edhe mbrojtësi i majtë Brendon Smajli, e gjithashtu mesfushori i majtë, Ledjon Xhymerti priten të konfirmohen nga klubi pasi të plotësohet i gjithë dokumentacioni.

Këta dy futbollistë po stërviten prej ditësh dhe përveç skuadrës së parë mund të përdoren edhe nga U-21, që pritet të formohet në ditët e ardhshme nga klubi.Portieri maqedonas, Bobi Celeski, ka rinovuar kontratën me Teutën edhe për dy vite.

Burime zyrtare në klub konfirmuan për gazetën se pavarësisht faktit se 23-vjeçari maqedonas ka qenë alternativë për portën durrsake në këto dy sezone, klubi ka shprehur besim tek ai, duke rinovuar marrëveshjen.Celeski iu bashkua skuadrës në verën e vitit 2018, ndërsa ka luajtur me durrsakët vetëm 4 ndeshje në kampionat. Ai është preferuar më tepër në Kupën e Shqipërisë.