Teuta insiston për një “bomber”. Edhe pse merkatoja ka nisur nga mbrojtja, afrimi i një qendërsulmuesi mbetet prioritet i durrsakëve. Amadu Latif ka bërë realisht mirë gjatë pjesës së parë të sezonit (duke shënuar 9 gola në 17 ndeshje të luajtura), por stafi teknik pret që të shtojë cilësinë në këtë repart.

Ata po kërkojnë një tjetër lojtar me peshë për majën e sulmin. Pretendimet janë rritur ndjeshëm, ndaj po bëjnë çmos që të afrojnë të duhurin për të kompletuar ofensivën. Tregu shqiptar nuk është se ofron ndonjë mundësi të madhe, e megjithatë “djemtë e detit” e kanë pikasur një element që mund t’u bëjë diferencën për pjesën e mbetur të sezonit.

Bëhet fjalë për kapitenin e Flamurtarit, Tomislav Bushiç. Prej kohësh, drejtuesit janë duke e vëzhguar dhe për momentin ai konsiderohet si alternativa më e mirë. Kroati pëlqehet prej Bledi Shkëmbit, megjithatë problem më vete është kontrata që ai ka me kuqezinjtë.