Skënderbeu prej ditësh po stërvitet në Durrës, ndërsa Teuta ka vendosur që të transferohet në Korçë për të kryer fazën përgatitore. Një rokadë tejet e çuditshme, që pa dyshim u shkon përshtat të besuarve të Bledi Shkëmbit.

Ata po shijojnë temperaturat e freskëta të qytetit juglindor, duke bërë që ngarkesat të mos ndihen. Paradoksale duket zgjedhja e bardhekquve. Në këtë moment kanë më shumë se kurrë nevojë për ngrohtësinë e tifozëve, e megjithatë kanë zgjedhur që të zhvendosen në “Tropikal”.

Pas peripecive të shumta që përjetuan me vendimin e KAS, që la në fuqi dënimin 10-vjeçar, klubi e ka parë të udhës që të rrijë larg sportdashësve. Në vend që të ishin afër tyre, zgjodhën Durrësin në pikun e sezonit turistik. Ky transferim mund të justifikohet nga fakti që në këtë moment krize, për të evituar kostot dhe pagesat për një grumbullim në një tjetër hotel, ka zgjedhur rezidencën e vetë në Durrës.

Mirëpo,ajo çka e bën paradoksale është se ekipi që përfaqëson Durrësin shfrytëzon Korçën dhe nga ana tjetër, Skënderbeu shkon në Durrës, në një moment ku është “bumi” i turisteve dhe temperaturat janë në afro 40 gradë celsius.