Humbja me Kukësin është hedhur pas krahëve nga “Djemtë e Detit”, që u janë rikthyer menjëherë përgatitjeve në terren për ndeshjen e radhës në kampionat. Skënderbeu vjen pas një momenti mjaft të mirë në Superiore, megjithatë ky fakt nuk i shqetëson bregdetarët, që kërkojnë të kthehen te fitorja në “Niko Dovana”.

Durrsakët gjithmonë kanë qenë një kundërshtar shumë i fortë për korçarët, madje konsiderohen edhe si “macja e zezë”, pasi ndeshjet mes tyre kanë qenë shumë të luftuara.Gjithsesi, në këtë edicion, Skënderbeu nuk e ka pasur të vështirë përballë tyre. Të katërta takimet, që janë zhvilluar mes tyre në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë, kanë folur për bardhekuqtë, të cilët kanë regjistruar katër fitore.

Interesant është fakti se në të dyja ndeshjet për kampionat, Teuta ka kaluar e para në avantazh, por nuk ka arritur ta menaxhojë rezultatin. Edhe kundër Kukësit, bregdetarët ishin të parët që kaluan në avantazh, por nuk ishin të zotë të kontrollonin lojën dhe si pasojë u mposhtën. Për këtë takim, trajneri Gentian Begeja nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin e majtë, Masahudu Alhasan, i cili në ndeshjen me Kukësin u ndëshkua me karton të kuq.

Lajmi i mirë për stafin teknik është rikthimi i qendërmbrojtësit Ante Hrkaç, i cili e nisi si zëvendë- sues edhe kundër kampionëve në fuqi. Gjithashtu, për këtë takim kthehet edhe mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, i cili shleu pezullimin me një ndeshje, pasi kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Ndërkohë, në dyshim është mesfushori Burhan Mustafov, që vazhdon të përgatitet veçmas grupit.Nuk ka pasur pushim për “Djemtë e Detit”, të cilët kanë zhvilluar edhe dje një seancë stërvitore.

Me përjashtim të Mustafov, i gjithë grupi i lojtarëve ishte në dispozicion të Begejës në stërvitjen e të dielës. Futbollistët që u aktivizuan në transfertën e “Zeqir Ymerit” zhvilluan disa ushtrime shkrythëse dhe vrapime rreth fushës, ndërsa pjesa tjetër punoi normalisht me ngarkesë të plotë.