Pasojat e tërmetit kanë qenë të mëdha në Durrës dhe të prekur mbetën edhe lojtarët e Teutës. Zyrtarisht, shtëpitë ku jetonin deri më 26 nëntor Darko Nikaç, Abdul Khalid dhe Aleksandër Kuro kanë rezultuar të pabanueshme. Me kthimin në qytetin bregdetar, klubi është detyruar që t’i transferojë gjetkë. Që të tre të huajt janë zhvendosur në një hotel në periferi, atje ku do të jenë më të sigurt dhe natyrisht më të qetë. Tmerrin që përjetuan, futbollistët po përpiqen ta kthejnë në forcë. I tillë është rasti i Darko Nikaç, i cili paralajmëron se pas tronditjes do të rigjejë edhe golat. Sulmuesi malazez i kthehet edhe një herë mëngjesit të së martës, por flet edhe për ndeshjen e radhës me Skënderbeun. Beson se tani e në vazhdim gjithçka do të shkojë më mirë edhe për ekipin.

Ka kaluar më shumë se një javë nga tërmeti që tronditi Durrësin. Pas pushimeve në Mal të Zi, është kthyer më i qetë Darko.

Uroj që 26 nëntori të fshihet nga kalendari sa më shpejt. Kam parë tmerr me sy, ndoshta situata më e rëndë e gjithë jetës sime. Ishte ora 4 kur filluan lëkundjet dhe në ato çaste mendova fundin. Dola menjëherë jashtë dhe pashë shtëpi të rrëzuara, njerëz që nuk dinin se çfarë bënin dhe fëmijë që qanin e ulërinin. Shpresoj që gjithçka të qetësohet dhe të rinisë jeta në këtë qytet të mrekullueshëm.

Ndërprerja e kampionatit dhe trauma, a do të ndikojë te ndeshja e radhës?

Duke parë situatën ku ndodhej ky qytet, ishte e pamundur që të flitej për stërvitje apo për të luajtur futboll. Ndalesa besoj se na ka bërë mirë edhe për të rigjetur lojtarët që kanë qenë me probleme. Mendoj që ketë javë do jemi të plotë dhe të etur për sukses.

Mund të kthehet në forcë e gjithë kjo dramë dhe të sjellë zhbllokimin tuaj?

Shpresoj që të kthehet në motiv dhe të zhbllokohem. Skuadra ka besim tek unë dhe kjo gjë më jep besim dhe siguri për të shënuar. Dhe unë nuk ndihem mirë me veten kur e shoh që nuk po shënoj. Klubi ka shpenzuar për mua, ndaj dua që nga kjo javë të kthehem te goli për veten dhe për të gjithë ata që besojnë te Nikaç.