Marrin fund pushimet tek Teuta. Pas 10 ditësh, skuadra do të nisë sot përgatitjet për Ligën e Europës. Nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi dhe ndihmësve të tij, Endri Vrapi e Bledar Rizvani, durrsakët do të “ndezin motorët” për sezonin 2019-2020. Stërvitja e parë do të kryhet në stadiumin “Niko Dovana”, kur priten edhe surpriza.

Të gjithë lojtarët që janë nën kontratë me klubin do të jenë të pranishëm në këtë seancë, por nuk përjashtohet mundësia e afrimeve të reja. Mungesa të sigurta janë ato të Kallakut, Vilës dhe Gashit, që janë të angazhuar me Shpresat e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Djemtë e detit” kërkojnë që të jenë gati për Europën, ndaj edhe drejtuesit po nxitojnë në merkato për të bërë afrimet e duhura. Referuar largimeve, vëmendja është e përqendruar pikërisht te mbrojtja dhe mesfusha. Nga sa mësohet, priten nga dy prurje për këta sektorë. Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, në kampin durrsak kanë qarkulluar disa emra si përforcime të mundshme të Teutës, duke filluar nga ish-kapiteni Rustem Hoxha, por edhe një mbrojtës krahu, i cili pritet të mbërrijë nga Greqia.

Gjithashtu, braziliani që mbylli sezonin me Flamurtarin, Elton Kale, por edhe sulmuesi i Luftëtarit, Ismael Dunga, janë lakuar ditët e fundit. Mirëpo, në klubin durrsak nuk konfirmojnë deri më tani asnjë prej tyre, kështu që gjithçka mbetet për t’u parë.

Pritet që kundërshtari në turin e parë të Ligës së Europës të jetë i vështirë, kur dihet që durrsakët e kanë koeficientin e ulët. Por, derisa përvoja në këtë kompeticion nuk i mungon, Teuta do të tentojë kualifikimin. Në Durrës po presin me interes shortin dhe për këtë motiv do angazhohen maksimalisht me përgatitjet për të qenë më shumë se gati për çdo rival që do t’i rezervojnë “goglat”.