Klubet e futbollit janë duke u përgatitur për të rifilluar kampionatin teksa kanë nisur edhe stërvitjet. Në këtë pikë, lojtarët duhet të respektojnë maksimalisht rregullat për të shmangur një infektim të mundshëm e më pas përhapjen e tij në futbollistët e tjerë.

Mirëpo, rregullat i thyen dje katër futbollistë të Seviljes, të cilët tashmë janë vënë në qendër të skandalit dhe rrezikojnë të marrin një dënim nga klubi.

Bëhet fjalë për futbollistët Ever Banega, Okampos, Franko Vazkez dhe Luk De Jong, të cilët menduan të bashkoheshin në një grup të madh personash për ta kaluar ditën së bashku.

Ndërkohë, ditën e sotme ka ardhur edhe reagimi nga La Liga teksa theksohet se ky veprim vendos në rrezik vazhdimësinë e kampionatit.

“Në orët e fundit disa futbollistë nuk kanë respektuar rregullat, duke bërë një relaksim në fazën finale. Është një mungesë respekti pasi kemi theksuar se vigjilenca duhet të jetë e lartë derisa të përfundojnë ndeshjet e këtij sezoni. Sjellje të tilla janë të pakuptueshme sepse vendosin në rrezik vazhdimësinë e kompeticionit. Çfarëdo sjellje relaksi ndaj masave do të thotë një mungesë respekti për La Liga, klubet, lojtarët dhe trajnerët”, shkruhej në deklaratë.