Argjentina mposhti me rezultatin 1-0 Brazilin ditën e djeshme, në një ndeshje ku nuk munguan polemikat edhe pse ishte vetëm një miqësore. Ishte Lionel Mesi i cili i dha fitoren kombëtares së tij, teksa shënoi në pjesën e parë nga penalltia, të cilën e kishte fituar vetë. Pikërisht për penalltinë e fituar kanë reaguar keq lojtarët e Brazilit, të cilët protestuan te arbitri se si mund të jepej një 11-metërsh i tillë.

Shumë keq ka reaguar edhe kapiteni brazilian Tiago Silva, i cili pas përfundimit të ndeshjes u shpreh se Mesi ndikon në vendimet e arbitrave. “Mesi dëshironte ta drejtonte ai ndeshjen dhe jo arbitri. Ai reagoi shumë keq në dy raste, dhe përsëri arbitri nuk bëri asgjë për këtë. Lojtari vazhdonte të debatonte shpesh me gjyqtarin, dhe ky i fundit vetëm qeshte. Në fushë admirimi duhet të lihet mënjanë.

Ai gjithmonë përpiqet të ndikojë te gjyqtarët, gjithmonë sillet në këtë mënyrë. Edhe në Spanjë Mesi bën të njëjtën gjë, unë kam biseduar me disa që luajnë atje, dhe më kanë thënë se përpiqet të ndikojë në vendimet e gjyqtarit. Në Ligën e Kampionëve nuk e ka këtë mundësi, sepse arbritrat aty janë më të vendosur. Ndërkohë që ka edhe gjyqtarë që kanë admirim për të, dhe marrin vendimet si i do ai.”, u shpreh Tiago Silva.