Ditën e dielë Kroacia mori “shuplakën” e dytë radhazi pas koronavirusit, duke u goditur nga një tërmet, që vuri në alarm gjithë Zagrebin dhe rrethinat e tij. Në këtë fatkeqësi ndihma e çdokujt është e nevojshme dhe ultrasit e Dinamos së Zagrebit janë shpërndarë të gjithë duke ndihmuar.

Dikush duke shpërndarë ilaçe nëpër spitale e dikush tjetër, duke ndihmuar të dëmtuarit prej tërmetit, ata dhanë shembullin më të mirë për të gjithë tifozët në mbarë Europën.

Mesazhi i tyre ka mbërritur edhe në vendin tonë dhe pikërisht atje ku tërmetin e dinë shumë mirë se çfarë është, në Durrës. Djemtë e Detit përmes një postimi në “Facebook”, të publikuar edhe nga faqja zyrtare e Teutës kanë njoftuar se anëtarët e këtij tifogrupi do të jenë në shërbim të të moshuarve, si fasha më e rrezikuar në rast të infektimit me koronavirus.

Ata do u shërbejnë atyre duke ia dërguar ushqimet dhe gjërat e tjera të nevojshme nëpër shtëpia, me qëllim shmangien e daljeve të të moshuarve sepse në rast të kundërt ata do të ekzpozoheshin më tepër ndaj Covid-19, që në rast infektimi do të ishte vdekjeprurës për ta.