Philippe Coutinho dhe Barcelona janë gati të ndahen në fund të sezonit, kjo duket e pashmangshme, e përforcuar edhe më shumë gjatë ndeshjes Barcelona-Real Sociedad.

Braziliani u hodh në fushë si zëvendësues, në këtë moment, i gjithë stadiumi shpërtheu në vërshëllima. Tifozët e kanë ende të freskët perlën e tij në ndeshjen e kthimit kundër Man.United, mbi të gjitha festimin e tij, ku Coutinho mbyllte veshët në shenjë proteste ndaj publikut.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, publiku nuk e ka pritur aspak mirë këtë gjest të Coutinhos. Jo vetëm kjo, sëfundmi Coutinho në një intervistë të dhënë është shprehur se dëshiron shumë të luaj në krah të Neymar, një tjetër personazh që gjithashtu nuk pëlqehet shumë nga tifozët e Barçës:

“Të luash me Neymar është një kënaqësi e madhe, e kemi bërë disa herë me përfaqësuesen e Brazilit por të luash në rang klubesh është diçka tjetër, nuk e kam pasur ende këtë mundësi, do ishte bukur të ndodhte”, është shprehur Coutinho.

Kjo deklaratë e brazilianit largon edhe më shumë nga Barcelona, gjithashtu një mesazh i qartë për PSG. Coutinho u transferua te Barcelona në verën e vitin 2018 për 160 milion euro, plus bonuset dhe ka një kontratë deri në vitin 2023 por sjellja e tij mund të sjellë largimin e menjëhershëm që në këtë merkato verë.