Tirana interesohet për Ardit Hilën. Ish-mesfushori i Teutës shihet si një alternativë për këtë repart. Ai është zyrtarisht futbollist i lirë në treg dhe ky fakt shihet si “bonus” prej klubit. Sezoni i mirë që elbasanasi bëri në Durrës, por edhe marrëdhënia e tij e mirë që ka me golin, ka bërë që drejtuesit ta shohin me kërshëri këtë pistë. Ende nuk mund të flitet për negociata serioze, pasi kryeqytetasit janë në procesin e studimit të emrave që kanë në tavolinë. Dhe duhet thënë që për mesfushën ekziston një listë e stërgjatë.

Prioritet ishte afrimi i Marko Cetkoviç, por duke qenë se transferimi dështoi, tashmë klubi po mendon që të vendosë në “peshore” alternativat për të gjetur të duhurit. Aktualisht, në dispozicion kanë emra si Karabeci dhe Maveje, por edhe Daja, i cili edhe pse nuk ka rinovuar, konsiderohet pjesë e skuadrës.

I “lakmuar” është edhe Bruno Dita. Me ish-lojtarin e Dinamos dhe Besës kanë folur, por tratativat me të ngecin për shkak të kontratës që ai ka me Skënderbeu. Korçarët e kanë në dorë të ardhmen e mesfushorit.

Për të njëjtin repart, në lojë janë edhe disa kosovarë. Thuhet që drejtuesit kanë shkuar për të folur nga afër me disa prej tyre, megjithatë pa pasur akord, edhe emrat mbahen të “fshehur”. Por, një gjë është e sigurt. Nga kaq shumë lojtarë që përmenden, jo më shumë se dy do të afrohen.