Një humbje ndaj një kundërshtari me nivel shumë të lartë si Anglia ishte mëse e pritshme për trajnerin Kosovës Bernard Challandes. Ky i fundit u nxeh sëtepërmi me gjyqtarin kryesor në momentin e golit të 3-të të tre luanëve ose më saktë autogolit të Vojvodës, i cili erdhi në një moment që Aliti ishte i shtrirë në fushë dhe po kërkonte ndihmën mjekësore por gjyqtari nuk ndali lojën. Megjithatë në intervistën për Supersport pas ndeshjes trajneri zviceran i “Dardanëve” nuk u ndal te ky episod, por fillimisht analizoi humbjen.

“Nuk ishin gola të lehtë, na shënuan gola të mrekullueshëm, luajtëm ndaj një ekipi të madh. Ata kishin aksione perfekte, me shpejtësi dhe teknikë. Anglia është një nga ekipet më të mira në botë, unë nuk mund të them që ishte e lehtë, por ne rrezikuam”.

Kjo ishte humbja e parë për Kosovën pas 15 ndeshjesh dhe e para për Challandes në stolin e “Dardanëve”, i cili shtoi se i pëlqeu reagimi i skuadrës në pjesën e dytë.

“Humbja e parë? Ne mund të mësojmë nga niveli i lartë. Ky rezultat nuk ishte normal, pasi Anglia shënoi në kundërsulme. Ne dëshironim të luanin, ta mposhtim kundërshtarin, nëse shohim pjesën e dytë, ne mund të jemi krenar me këtë skuadër, pasi ata nuk u dorëzuan. Nuk është një rezultat shumë i thellë, jemi vetëm dy gola pas. Ne nuk dorëzohemi, ne jemi Kosova”.