Transferimi i Kamer Qakës nga Poli Iasi te Steaua e Bukureshtit në Rumani, dyshohet të jetë kryer nga njerëz të përfshirë në organizata kriminale, dhe që kanë shkelur rregullat e FIFA-s. Sipas gazetës sportive rumune, “GSP.RU”, në transferim është përfshirë një kompani, që zotëron 25% të kartonitë të futbollistit.

Sipas investigimit të kryer, pas saj është dhe një palë e tretë e quajtur “Hebdo Football”, të cilës i është ndaluar nga FIFA të kryej transferime. Arsyeja është se pas kësaj kompanie fshihen persona me të shkuar të errët në itali.

Bëhet fjalë për Viorel Bodiu, i cili dyshohet se është i përfshirë në trafikimin e makinave luksoze në Itali. Për këtë arsye atij i është ndaluar hyrja në këtë shtet, ndërkohë që e ka të ndaluar edhe kryerjen e transferimeve të lojtarëve. Gazeta rumune zbulon se personi në fjalë, ka pasur një të shkuar edhe si futbollist amator.

Mësohet se kjo organizatë ka pasur bashkëpunim me disa klube futbolli në Rumani, të pranuar edhe nga presidentët e këtyre skuadrave. Gjithësesi për rastin në fjalë, futbollisti i kombëtares shqiptare, Kamer Qaka, nuk ka faj, pasi kompania “Hebdo Football” është shfaqur si agjenci menaxhimi.