Një skandal me përmasa të mëdha ka kapur Gjeorgjinë, pasi është zbuluar një rrjet që merrej me trukimin e ndeshjeve në dy ligat kryesore.

Pesë futbollistë, të cilët kanë pranuar se ishin të përfshirë në trukime, janë përjashtuar përjetësisht nga futbolli. Të pestë futbollistët luajnë për FC Wit Georgia dhe janë portieri Joni Sherozia, mbrojtësi Giorgi Getiashvili, mesfushorët Nikoloz Maisuradze e Nodar Kiknavelidze dhe sulmuesi Paata Ghudushauri, të gjithë titullarë të skuadrës që renditet në vendin e parafundit në kampionat, pas 17 javësh.

Muajin e shkuar 11 lojtarë në Gjeorgji u arrestuan (gjyqi vazhdon ende), të dyshuar se ishin të përfshirë në trukime ndeshjesh, ndërsa tashmë përballen me dënim me burg. Tetë të arrestuar janë futbollistë në aktivitet dhe 3 ish-lojtarë.

Ish-mbrojtësi i famshëm gjeorgjian, Kakha Kaladze, dy herë kampion Europe me Milanin dhe tashmë kryebashkiak i Tbilisit, e dënoi trukimin e ndeshjeve, në një intervistë televizive: “Për mua, si ish-futbollist, veprime të tilla janë të papranueshme dhe të gjithë duhet të paguajnë çmimin që u takon për veprime të tillë. Këtu nuk bëhet më fjalë për sport”.

Hetimi është zhvilluar për muaj të tërë nga Agjencia Antikorrupsion në shërbimet sekrete gjeorgjiane, që kanë zbuluar bisedat mesa futbollistëve dhe personave që u premtonin para për trukimet. Futbollistët e përfshirë kanë fituar shifra deri në 30.000 euro nga trukimet.