Teuta ka vijuar përgatitjet për takim e javës së 32-të ndaj Bylisit. Nën drejtimin e Edi Martinit dhe ndihmësve të tij, ekipi zhvilloi një seancë të lehtë, më tepër të karakterit taktik.

Stafi po përgatit manovrën për ndeshjen e radhës, duke punuar më tepër edhe me goditjet standarde. Ndërkohë, është konfirmuar se kapiteni Renato Arapi e ka të pamundur të jetë në fushë të shtunën.

Stafi mjekësor ka konstatuar pas analizave se mbrojtësi ka pësuar një tërheqje në kofshë në ndeshjen ndaj Vllaznisë, ku luajti vetëm 7 minuta. Tashmë Arapit i është sugjeruar një pushim prej 10 ditësh.

Gjasat janë që ai ta humbë edhe sfidën me Kastriotin në mesjavën e ardhshme. Lajm pozitiv për trajnerin Martini është rikthimi i Asion Dajës. Mesfushori ka shlyer pezullimin për kartonë dhe do të jetë gati për takimin ndaj Bylisit.