Mesfushori i Manchester Unitedit, Fred, ka thënë se incidentet raciste, si abuzimet që u drejtuan te ai nga disa tifozë të Manchester Cityt gjatë derbit të së shtunës, e dëshmojnë se shoqëria është e "mbrapsht".

Pamjet televizive e shfaqin një tifoz duke bërë veprime për të simbolizuar majmunët drejt mesfushorit brazilian Fred dhe atij anglez Jesse Lingard. Pak momente më vonë, Fredi u godit nga një objekt i gjuajtur nga tribunat.

Manchester City ka bërë të ditur se tifozët që zbulohen se janë fajtorë për racizëm në stadium do të pezullohen përjetësisht nga ndeshjet e klubit.

"Për fat të keq, ne jemi ende në një shoqëri të mbrapsht. Është e turpshme që duhet të përjetojmë gjëra të tilla në vitin 2019. Në fushën e lojës, nuk pashë asgjë, e pashë vetëm në zhveshtore më vone", ka thënë Fred.

"Djemtë ma treguan. Ai madje më gjuajti më shkrepëse dhe më goditi. Unë tentoj të e injoroj këtë gjë dhe të shikoj vetëm përpara"."Fatkeqësisht, kjo ndodh në disa stadiume. Ndodhi këtu, më kishte ndodhur edhe në Ukrainë me disa shokë. Është mërzitëse, por ne duhet ta mbajmë kokën lart dhe t’i harrojmë këto incidente".

"Ne nuk duhet t’u japim vëmendje sepse ata vetëm këtë e duan. Unë fola me gjyqtarin pas ndeshjes dhe ai më tha se ata do të bëjnë diçka për këtë gjë. Ne jemi të gjithë të njëjtë, pavarësisht ngjyrës së lëkurës, gjinisë apo flokëve. Ne kemi ardhur nga i njëjti vend dhe do të shkojmë te i njëti vend".

"Falë Zotit unë kam shumë shokë këtu në zhveshtore që erdhën dhe më përqafuan, si Lingardi. Unë nuk dua të mendoj më shumë për këtë. Vetëm dua të ec përpara".