Një incident i rëndë ndodhi në përfundim të ndeshjes Wigan – Manchester City 1-0, rezultat që eliminoi skuadrën e Pep Guardiolës nga FA Cup. Tifozët e vendas, në delir për këtë kualifikim historik, pushtuan fushën për të festuar bashkë me lojtarët e Wiganit.

Mirëpo lojtarëve të Manchester City-t nuk u ka pëlqyer ky fakt, pasi jo të gjithë ishin drejtuar në dhomat e zhveshjes. Shumë nga tifozët e Wiganit, të pajisur me smartphone, u janë drejtuar lojtarëve kundështarë që të bënin foto, por Aguero nuk e e ka pritur mirë, ndoshta i frikësuar nga turma që po pushtonte fushën.

E ndërsa të gjithë festonin, sulmuesi argjentinas është filmuar duke goditur me grusht një tifoz. Nuk dihet nëse Aguero është ofenduar apo thjesht tifozi i ri i ka kërkuar të bënin një foto, rrethanat e ngjarjes ende nuk janë sqaruar.

Tension ka patur edhe në tunelin që të çon te dhomat e zhveshjes mes dy trajnerëve Cook dhe Guardiola. Pritet të merren masa nga Federata e Futbollit për gjithçka ka ndodhur brenda dhe jashtë fushës së blertë.