Skuadra e Llapit në Superligën e Kosovës, ka njoftuar se ka shkarkuar nga detyra, trajnerin Bylbyl Sokoli. Siç bëhet me dije në komunikatën e klubit, ky shkarkim ka ardhur pas ecurisë së dobët në kampionat në këto tetë javë.

Kujtojmë që javën e kaluar, trajneri Sokoli u rrah nga tre persona në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, pasi u mund nga ekipi i Mirel Josës në kryeqytetin e Kosovës.

Më poshtë, njoftimi i klubit të Llapit:

KOMUNIKATË ZYRTARE:

KF Llapi nga mbledhja e mbajtur ka analizuar dhe shqyrtuar me vëmendje ecurinë e kampionatit për këto tetë xhiro dhe nga kjo kemi ardhur në përfundim se shkarkimi i Kryetrajnerit, Bylbyl Sokoli ishte i paevitueshëm. Arsyet kryesore të shkarkimit të tij ishin rezultatet jo të mira të skuadrës në këto tetë xhiro si dhe mungesa e harmonisë mes lojtarëve dhe kryetrajnerit që dolën të jenë mungesa e rezultateve të deritanishme. E falenderojmë Kryetrajnerin Bylbyl Sokoli për kohën e kaluar në KF Llapi, ndërsa Drejtori Sportiv, Tahir Batatina është në bisedime me tre trajnerë për të ardhur në stolin e Llapit. Podujevë, 11 tetor 2018