Pas një pritjeje të gjatë, më në fund UEFA ka marrë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv dosjen e Milanit. Pikëpyetja më e madhe lidhet me situatën në të cilën do të vendoset sanksioni ndaj kuqezinjve, që duhet të bëhet i njohur brenda vitit.

Deficiti buxhetor kuqezi është i rëndë dhe me siguri që nuk do të anashkalohet. Vendimi më i mirë apo më i keq i mundshëm është për t’u përjashtuar. Problem do të ishte nëse analiza e UEFA-s e gjen Milanin në një situatë po aq të rëndë sa ajo e kinezëve, çka mund ta shtyjë të ripropozojë përjashtimin nga kompeticionet e saj. KAS-i e cilësoi vendimin si jo në proporcion me gjendjen reale të ekipit milanez, ndaj vështirë që dy institucionet të sfidohen.

Mundësia reale është që komisioni gjykues të ndëshkojë Milanin me një ose disa nga këto masa: gjobë, reduktim të organikës, kufizim të blerjeve, madje deri ndalim të merkatos. Gjithçka do të varet nga gjendja e arkave kuqezi, por dënimi është i pashmangshëm. Në rast se Milani gjen rrugën e bisedimeve me UEFA-n, kjo e fundit do t’i kërkojë një plan financiar tejet solid, të besueshëm, të vetëfinancueshëm dhe që mbi të gjitha parashikon një shlyerje të detyrimeve brenda 48 muajsh.

Duke parë arkat, do të duhet shumë rigorozitet, por zgjedhja është e drejtë dhe nuk ka pikë dyshimi që rripi do të duhet të shtrëngohet për ca kohë.