Vazhdon të trondisë historia e Emiliano Sala, i cili humbi jetën gjatë një udhëtimi nga Nantes në Kardif, ku do të transferohej. Avioni i tij humbi nga radarët dhe ai u gjet në fund të detit. Rreth 3 muaj më vonë, edhe babai i tij, Horacio humbi jetën nga një goditje në zemër. Ai akuzoi se Kardifi e la djalin e tij të vdiste si një qen.

Ka qenë prestigjozja franceze “L’Equipe”, e cila në një dokument të publikuar ka zbuluar mesazhet tronditëse që Sala i dërgonte një të afërmi të tij. Aty zbulohet se argjentinasi nuk donte të transferohej.

“Fola mbrëmë me agjentin, më tha që Frank Kita, i biri i presidentit Kita, i kishte thënë se duan të më shesin. Ata kanë marrë një ofertë nga Kardifi. Kanë vendosur një çmim të lartë, megjithatë ata kanë pranuar. Është kontratë e mirë, por jo interesante për mua. Ata duan të shkoj me çdo kusht. Nuk kam frikë sepse jam mësuar me sfida gjithë jetën time. Shpresoj që agjenti të gjejë diçka më të mirë. Nuk dua ta shoh në Kita sepse acarohem. Do që unë të shkoj në Kardif, i interesojnë vetëm lekët, pa më pyetur se çfarë dua unë. Më duhet ta shoh përditë surratin e tij”, ishin disa nga mesazhet e dërguara nga Sala.

Kujtojmë se Kita është presidenti i Nantes dhe Sala shpreh qartë dëshirën për të mos shkuar te Kardifi.