Ka rinisur Seria A, po ashtu edhe negociatat e merkatos. Risia e orëve të fundit i përket Marash Kumbullës. Pasi Interi dukej për një kohë të gjatë pranë akordit me futbollistin duke mbajtur kontaktet me menaxherët, ja ndryshimi i skenarit: favorite është Lacio.Igli Tare ka vendosur: për Ligën e Kampioneve ka nevojë për përforcime dhe sytë janë drejtuar nga qendërmbrojtësi i Veronës, që e vlerëson rreth 35 milionë euro, por me uljet e çmimeve si pasojë e pandemisë “COVID-19” mund të ulet në bisedime edhe për 30.

Sipas raportimit të djeshëm nga “Sky Sport”, pasi negociatat me Interin dukeshin në fazë të avancuar dhe pranë shtrëngimit të duarve, ka pasur një ndalesë nga klubi zikaltër.Çështja e shitjes së Lautaro Martinezit po mban pezull merkaton zikaltër, me Interin që si ofertë të fundit, që i ka paraqitur Veronës është 28 milionë euro, por asnjë cent më shumë, ndonëse edhe kjo shumë pritet që të paguhet me disa këste.

Ndërkohë, Igli Tare ka kaluar menjëherë në kundërsulm, pasi ka arritur që të bindë mbi të gjitha Marash Kumbullën dhe menaxherët e tij. Dhe duke pasur fjalën e futbollistit shqiptar, drejtori sportiv i të kaltërve pritet që të paguajë edhe më pak sesa Interi për ta bërë të vetin, duke qenë se në radhët e kryeqytetasve luajnë disa talente si Kristiano Lombardi pikë së pari, por edhe Andre Anderson e Maistro, që pritet të plotësojnë diferencën.

Oferta e Lacios dhe e Tares për të bindur Veronën, madje përflitet se firma mund të vijë brenda 48 orëve të ardhshme është 20 milionë euro, plus dy prej lojtarëve të mësipërm. Firma duket vërtet pranë, me Taren dhe Lacion që pritet të bëjnë të tyrin një tjetër talent të madh, por mbi të gjitha duke djegur Interin, por edhe Juventusin, për qendërmbrojtësin 20-vjeçar dhe shpresën e madhe të Kombëtares shqiptare.