Mund të ketë shumë faktorë për dështimin e skuadrave shqiptare në kupat e Europës, por eliminimi i të gjitha ekipeve të Superiores, IPKO Superligës së Kosovës dhe të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut që në raundin e parë kualifikues është një shenjë domethënëse që tregon se sa pas në organizim janë klubet tona.

Sigurisht që në aspektin financiar dështimi është “i sigurt” që në start, por futbolli nuk është një shkencë ekzakte.Partizani ishte ndoshta ekipi më i pafat në short, pasi në raundin e parë të Championsin u përball e Qarabagun, që vitet e fundit shkon rregullisht në fazën e grupeve. Gjithsesi, të kuqtë, iu afruan shumë kualifikimit, por u “tradhtuan” nga goditjet e mëdha të verës.

Rasti i humbur nga Solomon vazhdon të “djegë” në kampin e kuq.Teuta dhe Kukësi nuk hynë ndoshta me qasjen e duhur në fushë në takimet e vajtjes, duke pësuar nga 3 gola, çka e bënë të pamundur përmbysjen në sfidat e kthimit.Laçi, sikurse Partizani, nuk pati fat në short, e për rrjedhojë eliminimi nga Hapoel Berr Sheva me rezultat të përgjithshëm 2-1 ishte më se i pranueshëm.

Kampioni i Kosovës, Feronikeli, është ndoshta më i justifikuari për dështimin në raundit e parë. Në përvojën e parë në Champions bëri detyrën duke kaluar në raundin paraeliminator, për t’u eliminuar më pas nga TNS e Uellsit. Zhgënjim ishte Prishtina, që u eliminua që në raundin paraeliminator të Europa League nga St Joseph’s.

E pabesueshme sesi një skuadër si Shkëndija e Tetovës, e konsoliduar dhe me përvojë në Europë, doli jashtë Championsit edhe pse triumfoi 0-1 në takimin e vajtjes me Nomme Kalju (u mposht 1-2 në takimin e kthimit).Dështimit nuk iu shmang as Shkupi, që shpërdori barazimin 3-3 në fushën e Pyunik të Yerevanit, duke humbur 1-2 në shtëpi.

8 skuadra shqiptare, të gjitha të eliminuara qenë raundin e parë, është një tregues i qartë se sa larg profesionalizmit janë ekipet tona në organizim, përgatitjen tekniko-taktike dhe psikologjike për t’u përballur me kundërshtarë europianë.

Gjithsesi, Partizani, Shkëndija e Tetovës dhe Feronikeli, skuadrat kampione në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, falë skemës së UEFA-s, kanë mundësinë të rregullojnë disi imazhin e e futbollit shqiptar në raundin e dytë të Europa Leagu-es.