Arbitri Sokol Bebja u sulmua nga tifozë të skuadrës së Shkumbinit në sfidën e Kategorisë së parë ndaj Dinamos. Ishte një sfidë që pati shumë tensione, teksa Bebja gjatë zhvillimit të sfidës tregoi 8 kartonë të verdhë dhe 3 të kuq që solli edhe këtë akt të shëmtuar. Reagimet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Shoqata e arbitrave nuk mungoi teksa kërkuan arrestimin e autorëve të këtij akti dhe vënia e tyre përpara ligjit.

Indinjatë shprehu edhe klubi i Dinamos për këtë ngjarje të rëndë që duket qartë në video, ndërkohë që Shkumbini habit me reagimin e tij teksa mohon se ka pasur dhunë ndaj arbitrit.

Administratori i klubit peqinas, Lorenc Hasbajrami pas përfundimit të sfidës akuzoi arbitrin për njëanshmëri në gjykim që solli edhe irritimin e tifozëve. Sipas tij kjo nuk mund të bëhet tragjike, pasi stafi dhe lojtarët nuk lejuan që arbitri të dhunohej, madje e kanë mbrojtur, një pretendim ky absurd pasi pamjet filmike flasin qartë.

Hasbajrami shkon edhe më tej teksa thekson se në fund të sfidës nuk ka pasur as shënjën minimale të dhunës, apo edhe ndonjë denoncim për akte dhune ndaj arbitrit.

Reagimi i FSHF:

Federata e Futbollit dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit. FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë. FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambjentet sportive.