Fundi i ndeshjes mes Tiranës dhe Laçit ka qenë shumë i tensionuar, ku bardheblubve u ka ikur fitorja në minutën e 99-të pas golit të Xhixhës.

Në videon e publikuar nga BalkanWeb, siç mund ta shikoni, çdo gjë po shkon normalisht me hyrjen e lojtarëve në dhomat e zhveshjes. Kjo deri në çastin kur në hyrjen e korridorit që të çon në dhomat e ekipit mik shfaqet presidenti i Laçit, Pashk Laska, që nga gjestet e tij duket se ka diçka për të thënë me dikë nga kampi bardheblu.

Çdo gjë bëhet e qartë në çastin kur në korridor hyn Majkëll Ngoo, me Laskën që duket se i drejtohet pikërisht anglezit dhe, nga tensioni që shfaq Laska në video, duket se tonet nuk kanë qenë aspak miqësore.

Majkëll Ngoo ka reaguar dhe ka tentuar të godasë Laskën, siç shikohet dhe në video, me shtatlartin anglez që ka kërcyet me krahun e hapur në drejtim të presidentit të Laçit, me këtë të fundit që gjithashtu i është afruar kërcënueshëm sulmuesit të Tiranës, por të dy janë penguar nga personat e pranishëm.

Kjo ka acaruar stafin e Laçit, që i është vërsulur Majkëll Ngoos dhe e kanë goditur sulmuesin e Tiranës, ndërsa ndërhyrja e lojtarëve të të dyja skuadrave dhe e pjesëtarëve të security kanë bërë që gjakrat të shuhen shpejt pa prodhuar incidente të mëtejshme.