Emiliano Vila humbi babanë e tij të shtunën në mbrëmje dhe të dielën u zhvillua ceremonia mortore, ndërsa u vu në dispozicion të trajnerit Edi Martini dhe i kërkoi këtij të fundit që të luajë në sfidën e rëndësishme ndaj Skënderbeut.Fantazisti i skuadrës durrsake qëndroi në fushë për gjatë gjithë 90-minutëshit, duke dhënë maksimumin për të ndihmuar skuadrën të fitojë ndeshjen.

Ku e gjetët forcën për të zbritur në fushë sonte?
Babi im që i vogël më ka ndenjur afër. Që 9-10 vjeç më dërgonte çdo ditë në fushë, ndaj ia kisha borxh dhe duhet të luaja me çdo kusht. Shpresoj ta kem kënaqur atje ku është.

Po bëni një ecuri të shkëlqyer në këtë fazë finale të sezonit. A do të donit ta mbyllnit me një trofe?
Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mirë dhe kemi luajtur ndeshje të shkëlqyera edhe më përpara. Dua të falënderoj të gjithë ekipin dhe trajnerin. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe të arrijmë te trofeu, të cilin do ia dedikoj babait tim.

A po projektohet një Teutë rreth Emiliano Vilës?
Këtu është shtëpia ime, këtu kam krijuar themelet. Zoti më ka dhënë forcë për të dhënë më të mirën çdo ndeshje. Që kur kam firmosur këtu kam gjetur një moment shumë të mirë.