Wanda Nara ka dhënë një intervistë për një program të "Canale 5", ku ka konfirmuar se sulmuesi i Interit, Mauro Icardi, do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës zi-kaltër edhe në sezonin e ardhshëm.

Bashkëshortja menaxhere e argjentinasit ka treguar se tashmë Mauro është shumë më i qetë dhe se do të vijojë të shënojë gola për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivave.

"Mauro është i qetë dhe i përqafon të gjithë, pasi nuk ka pasur probleme me asnjë prej shokëve të skuadrës. Tani po shënon dhe do vijojë ta bëjë për të ndihmuar Interin në arritjen e objektivave. Mund të ju them se do të jemi pjesë e Interit edhe sezonin e ardhshëm", tha Wanda.

Më pas bashkëshortja e Icardit foli edhe për kunatën e saj, Ivana Icardi, e cila ka hedhur akuza të rënda në reality show-n "Grande Fratello", ku është një nga konkurrentet e sezonit të 16.

"Ivana nuk është e sinqertë, pasi ne i kemi qëndruar gjithmonë pranë asaj dhe familjes së Mauros. Kemi ndihmuar jo vetëm ata, por edhe njerëz që nuk i njohim fare. Kur Ivana erdhi në Itali, bashkë me shokun e saj, që gjithashtu është futbollist, u hapëm derën. Kur ishte në universitet, Mauro i kishte blerë edhe një makinë, por ajo po shtiret vetëm për të qenë protagoniste në spektakël dhe për të fituar. Mua nuk më duket e drejtë, pasi nuk duhet të shkelë mbi të vëllanë, vetëm e vetëm për famë", tha bashkëshortja e Icardit.