Granit Xhakës do t’i ofrohet një psikolog nga klubi i Arsenalit mes shqetësimeve për një gjendje të rënduar psikologjike të kapitenit pas incidentit me tifozët.

Pas vërshëllimave të tifozëve të “Topçinjve” në momentin e zëvendësimit në derbin me Kristal Palasin gjatë javës së fundit në Premier Ligë, mesfushori iu drejtua atyre me fjalët “Shkoni pi…” dhe hoqi fanellën i zemëruar.

Trajneri Emeri e dënoi duke e lënë jashtë ndeshjes së mbrëmshme kundër Liverpulit dhe po diskutohet edhe heqja e shiritit të kapitenit.

27-vjeçari është këshilluar nga klubi që të kërkojë ndjesë për incidentin e së dielës, por Xhaka është në një moment të vështirë psikologjik dhe vijon të jetë i izoluar pas bisedimeve me trajnerin Emeri.

Edhe shoku i tij i ngushtë, Patrik Dibrani, gjatë një interviste për tabloidin zviceran “Blick”, konfirmoi gjendjen e vështirë emocionale të Granitit:

“Më lëndon shumë ajo që ka ndodhur. Graniti është si vëlla për mua. E kuptoj që ai nuk reagoi mirë ndaj vërshëllimave, por nëse je një tifoz i vërtetë i klubit, atëherë është si një marrëdhënie dashurie. Duhet të jesh pranë njëri-tjetrit në momente të mira dhe të këqija. Nuk duhet të vërshëllesh futbollistët e tu”.