Duhet edhe vetëm 1 javë nga inagurimi i madh i Arenës Kombëtare që tashmë nuk do të quhet më e tillë pasi ka një emër.  Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me kompaninë e parë ajrore shqiptare "Air Albania" që ka vetëm pak kohë që është lançuar në tregun e flturuimeve dhe stadiumi i ri do të mbajë emrin "Air Albania Stadium" për 5 vitet e ardhshme.

Në garë për të mbajtur emrin e stadiumit kanë qenë edhe disa kompani të tjera shumë të njohura si Sigal, Vodafone etj por sipas asaj që raporton Top Chanell, oferta e "Air Albania" ishte më joshësja për FSHF-në me marrëveshjen që do të zyrtarizohet ditën e hënë. Flitet për një shumë prej 650 mijë eurosh në vit që "Air Albania" do të derdhë në arkat e FSHF-së për të mbajtur emrin e stadiumit të ri.

FSHF hapi një ankand në datën 22 korrik për emrin e stadiumit ku ftoi të gjitha ato kompani të interesuara që t’i vinin emrin e tyre stadiumit të ri, të paraqisnin ofertat. Një proces ky që u shoqërua me debate të shumta, por FSHF qartësoi se arsyet që sollën në këtë zgjidhje janë vetëm financiare pasi stadiumi duhet të mirëmbahet.

Shitja e të drejtave të emrit u bë për një afat minimal prej 5 vitesh teksa çmimi dysheme i vendosur fillimisht ishte 600 mijë euro në vit. Ashtu si në pjesën më të madhe të botës edhe në Shqipëri stadiumi i ri, më i madhi dhe më moderni në vend do të ketë një emër komercial për arsye financiare.