Mauro Ikardi drejt Juventusit. Nuk është thjesht seria e radhës e “telenovelës” që mban emrin e ish-kapitenit të Interit. Mediat italiane kanë zbuluar fakte të reja dhe kontakte mes drejtuesve bardhezinj dhe sulmuesit argjentinas, për të cilin në merkaton e verës së kaluar ishte gati kontrata për ta veshur me ngjyrat bardhezi.

8 milionë euro në vit dhe një kontratë 5-vjeçare, e cila do ta bënte një nga futbollistët më të paguar të kampionatit italian. Kjo kontratë vazhdon të jetë ende në zyrën e Vanda Narës, menaxheres së futbollistit, dhe në verë do të bisedojnë sërish (siç tha drejtori sportiv, Fabio Paratiçi). Veprime që kanë tërbuar drejtuesit zikaltër, të cilët nuk kanë ndërmend ta shesin futbollistin e tyre më të mirë te rivalët e përjetshëm.

Kjo do të shkaktonte një krisje të madhe në ambientin e Interit mes drejtuesve dhe tifozëve, ku disa prej të cilëve janë rreshtuar pro ish-kapitenit. Mauro Ikardi ka kontratë deri në vitin 2021 me Interin dhe klauzola e tij është 110 milionë euro. Interi në këtë pikë nuk diskuton me asnjë ekip dhe kërkon pagesën e klauzolës.

Kërkesat shtohen akoma më shumë kur bëhet fjalë për Juventusin, pasi Bepe Marota kërkon të marrë në Milano Paulo Dibalën. E thënë thjesht: Ikardi shkon te Juventusi vetëm nëse Dibala transferohet tek Interi. Nëse bardhezinjtë nuk e pranojnë atë shkëmbim, atëherë destinacioni ndryshon.Në Itali flitet edhe për Napolin, ndërsa një pistë e besueshme është Reali i Madridit.

Zinedin Zidan kërkon të riformatojë ekipin madrilen dhe Ikardi do të ishte një sulmues që do ta bënte komod francezin. Argjentinasit iu hoqi shiriti i kapitenit pikërisht prej kontakteve që pati me Juventusin, por edhe për arsye të tjera që vazhdojnë të jenë misterioze. Ai refuzon të luajë duke u justifikuar se është i dëmtuar në gju, ndërsa palët po diskutojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët. Për Milanin nuk do të jetë, por ndoshta do të rikthehet në ekip pas pushimit të kombëtareve.