Nuk ka kaluar pa pasoja humbja poshtëruese 4-0 kundër Evertonit në “Goodison Park” të dielën.

Lojtarët e Mançester Junajtid janë përplasur me njëri-tjetrin në dhomën e zhveshjes së stadiumit të Evertonit, përpara se t’u kërkonin ndjesë publike tifozëve për ndeshjen e turpshme.

“Daily Mail” zbuloi se futbollistët e Solskjaerit e kanë drejtuar gishtin nga njëritjetri për atë humbje poshtëruese dhe zërat e ngritur janë dëgjuar deri në korridor.

“Ne lamë trajnerin dhe stafin të fliste dhe ata thanë të vërtetën”, tha Pogba. Por burime pranë klubit bëjnë me dije se situata në dhomat e zhveshjes së Junajtid nuk dallon shumë nga ajo që trashëgoi Murinjo përpara se të shkarkohej në dhjetor.

Në qendrën stërvitore “Carrington”, Solskjaer bëri një tjetër takim me skuadrën ditën e hënë, i cili zgjati një orë.Fokusi ishte videoanaliza e kapitullimit të tyre në Liverpul.

Trajneri dhe stafi i tij ishin shumë të zemëruar me paraqitjen e skuadrës. Pas këtij takimi, norvegjezi dhe asistenti i tij, Majk Felan, bënë edhe një takim me njëri-tjetrin për të diskutuar planet e merkatos së verës. Pas 6 humbjeve në 8 ndeshjet e fundit, stafi është bindur se skuadra ka nevojë për ndryshime pas këtij sezoni.