Sebino Plaku është afrimi i parë i Teutës në merkaton e janarit. Sulmuesi 35-vjeçar, i cili e mbylli vitin 2020 si pjesë e Kastriotit, ka arritur marrëveshjen me durrsakët.

Këtë e konfirmoi presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu.Ky i fundit sqaroi fillimisht se zërat për një afrim të mesfushorit Sabjen Lilaj nuk janë të vërteta. “Kemi transferuar Sebino Plakun. Këtë mund t’jua konfirmoj”, theksoi Hasanbelliu.

Ndërkohë, pas kalimit të Plakut te Teuta, mësohet se një lojtar i durrsakëve mund të kalojë te Kastrioti.Mes klubeve ka pasur negociata dhe emri më i lakuar për të shkuar te krutanët ka qenë ai i mesfushorit Asion Daja.

Ky i fundit pëlqehet nga trajneri Ramazan Ndreu dhe gjasat janë që të transferohet te krutanët. Megjithatë, në lojë është edhe Iran Gonçalves, fantazisti brazilian që është pjesë e Teutës. Ai mund të huazohet për 5 muaj te Kastrioti.