Mançester Siti u njoh me njoftimin se do i duhet të qëndrojë jashtë Ligës së Kampionëve për dy sezonet e ardhshme. Kjo për shkak se “qytetarët” nuk kishin respektuar rregullat financiare nga UEFA. Së fundmi, është zbuluar edhe njeriu që ka ndikuar më shumë në dënimin e anglezëve.

Bëhet fjalë për një haker portugez, Rui Pinto, i cili nëpërmjet një laptopi nga dhoma e tij në vitin 2015 arriti të futej në e-mailin e klubit dhe informacionet ia dorëzoi medias e cila vazhdoi më pas investigimin.

Prej muajit mars të vitit 2019, Pinto është në burg dhe po pret një vendim nga Gjykata e Apelit të Lisbonës ndërsa i rëndon akuza e 90 llogarive hakuese, sabotazhit dhe mashtrimit. Pinto arriti të aksesonte deri në 70 milionë dokumente dhe 3.4 terabajt informacion nga klube të ndryshme.

Pas dënimit të Mançester Sitit, fansat kanë nisur një fushatë me hashtagun: “Lironi Pinton”.