Bajerni i Mynihut duket se është pranë një marrëveshjeje me skuadrën e Interit për Ivan Perisiç. Gjigandët bavarezë janë në “gjueti” të një zëvendësuesi ideal për të larguarin Arjen Roben, i cili deklaroi pas 10 sezonesh largimin nga skuadra gjermane në fund të kampionatit. Pas tij, edhe Frank Riberi duket se nuk do të jetë më në planet e klubit duke bërë gati valixhen në fund të sezonit.

Ndonëse francezi ndryshe nga Roben nuk është prononcuar ende.Sipas asaj që shkruan “Corriere dello Sport”, Niko Kovaç, trajneri i Bajernit, është gati të paguajë 50 milionë euro për bashkëkombësin e tij që luan në Serinë A me skuadrën e Interit. Ivan ka deklaruar disa ditë më parë se është i hapur të provojë një aventurë të re larg “San Siro”-s.

Premier Liga, por tani edhe Bundesliga, mund të jenë destinacionet e tij të ardhshme. Bajerni është i vetmi klub për momentin gati të paguajë shumën e kërkuar nga klubi zikaltër. 29-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më produktivë të Interit në këto vitet e fundit duke kontribuar shumë për skuadrën, aq sa trajneri Luçiano Spaleti e konsideroi të pazëvendësueshëm në formacionin e tij.

Në këtë sezon lojtari ka luajtur 12 ndeshje me zikaltrit dhe ka shënuar vetëm 2 gola dhe shërbyer 2 asiste për ekipin e tij që renditet në vendin e tretë në kampionat pas Juventusit dhe Napolit. Por, shanset për një kalim të tij në Mynih që në muajin janar janë gjithashtu të mëdha.

Nëse klubi i Interit dhe ai bavarez do të binin dakord për shumën e transferimit, largimi i kroatit nga Milano mund të ndodhë më herët seç është parashikuar. Interi është duke pritur ende zyratrizimin e Xhuzepe Marotës, që pritet të ndodhë në javët e ardhshme. Ai do të ketë edhe fjalën e tij në këtë operacion.