Projekti i Realit 2019-2020 po merr formë dhe trajneri Zidan po e udhëheq vetë planin e rindërtimit të skuadrës. Për të afruar lojtarë si Hazard apo Pogba, Florentino Perez e di që duhet të shesë emra të mëdhenj dhe në procesin e skarcimeve po merr vetë personalisht trajneri francez.

Ai ka komunikuar me disa prej futbollistëve, të cilët i ka vënë në dijeni se nuk do jenë më pjesë e planeve të tij prej sezonit të ardhshëm. Futbollistët e informuar nga francezi deri në këto momente janë pesë: Garet Bejl, Mariano Diaz, Dani Sebajos, Markos Jorente dhe Brahim Diaz.

Ndërkohë që ai do të vazhdojë takimet kokë më kokë me të gjithë pjesën e mbetur të skuadrës. I pari që e mësoi fatin e tij ishte Bejl, i cili do të nisë bisedimet me shumë prej klubeve të Premier Ligës që janë të interesuara. Mariano Diaz do të largohet sapo të bëhet zyrtar transferimi i Raul de Tomas.

Për Marianon, ideja është të qëndrojë në Spanjë (ashtu si për Brahim Diaz) te Sevija ndoshta, ose të rikthehet te Lioni. Sebajos ka oferta të rëndësishme nga klube në Champions, me Juven në krye. Ndërsa Jorenten e kërkon Dortmundi, por edhe klube të Premier Ligës.